Tashmë janë mësuar edhe pak detaje për zjarrin në objektin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Është djegur zyra e drejtorit dhe disa dokumente.
Rreth orës 08:00, Zjarrfikësve në Prishtinë u ka shkuar lajmi për djegien e objektit të IML-së. Me të marrë informacionin, ata kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Zjarri në objektin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë tashmë është lokalizuar, ka konfirmuar zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Abdusamed Shkodra.
Sipas Shkodrës, zyra që ka pësuar djegie është ajo e drejtorit, e madje, janë djegur edhe disa dokumente zyrtare.
“Disa dokumente zyrtare, zyra e drejtorit është djeg.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me zjarrin që ka kapluar Institutin e Mjekësisë Ligjore. Në një përgjigje për Nacionale, Policia theksuar se raportohet që nuk ka të lënduar nga ky zjarr.
“Sot rreth orës 08:00, është raportuar se në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë , dy zyra janë përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.” – deklaroi Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës.
Ndërkohë, në lidhje me rastin, ka reaguar edhe Ministria e Drejtësisë. Ky institucion, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes po qëndron zëvendësministri Blerim Sallahu.
“Zëvendësministri Sallahu është duke qëndruar po ashtu atje, për të kuptuar më shumë rreth situatës së krijuar.
Për zhvillimet e mëtutjshme do të informoheni me kohë.” – shkruhet në kumtesë.